Ali Ahmeti mbështet protestën kundër Gjykatës Speciale: “Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e përkrahur nga bota demokratike”

Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetje të plotë për protestën kundër Gjykatës Speciale që pritet të mbahet më 7 gusht në Prishtinë.
Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Ahmeti ka deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike. Ai u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj proteste, të organizuar nga organizatat e dala nga lufta.
“Lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike dhe liridashëse. Që nga paslufta, panumër procese gjyqësore ndërkombëtare e vendore dëshmuan çiltërsinë e luftës sonë për liri, demokraci, pavarësi,” shkruan Ahmeti.
Ai e cilësoi të padrejtë çdo përpjekje për ta zhvleftësuar këtë luftë përmes, siç tha, proceseve politike të imponuara nga Rusia dhe dëshmive të servuara nga Serbia.
“Unë jam pjesë e pandarë e luftës për liri të kombit tim dhe e mbështes protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Ju ftoj të gjithëve që të shihemi bashkë më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, në mbështetje të lirisë sonë,” përfundoi ai.
Protesta e paralajmëruar vjen në një moment kur në opinionin publik po rritet debati rreth drejtësisë ndërkombëtare dhe trajtimit të figurave kyçe të luftës në Kosovë nga Gjykata Speciale.