Alcaraz dhe Sinner, përballja e madhe në finalen e US Open 2025

Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner do të shkruajnë një tjetër faqe të artë të rivalitetit të tyre këtë të dielë, teksa do të përballen në finalen e US Open 2025.
Spanjolli 22-vjeçar siguroi biletën për në finale pas një fitoreje të madhe ndaj legjendës Novak Djokovic, të cilin e mposhti bindshëm me shifrat 6–4, 7–6, 6–2, duke konfirmuar edhe një herë se është trashëgimtari natyral i epokës Rafael Nadal.
Nga ana tjetër, numri një i botës Jannik Sinner kaloi një sfidë më të vështirë kundër kanadezit Felix Auger-Aliassime, por arriti të triumfojë 3–1 në sete, duke vulosur biletën për në finalen e madhe.
Kjo do të jetë finalja e tretë radhazi e një Grand Slam mes dy yjeve të rinj. Në Roland Garros fitoi Alcaraz, ndërsa në Wimbledon Sinner arriti të marrë revanshin. Tani, në Flushing Meadows, përballja merr edhe më shumë peshë: përveç trofeut prestigjioz, në lojë është edhe vendi i parë në renditjen botërore, që aktualisht mbahet nga italiani.
Rivaliteti mes tyre, në moshën vetëm 22 dhe 24 vjeç, shihet si më i madhi i dekadës dhe krahasohet tashmë me duelet legjendare Federer–Nadal. Çdo takim mes tyre është kthyer në spektakël me ritëm të lartë, shkëmbime të fuqishme dhe emocione të jashtëzakonshme, duke bërë që bota e sportit ta konsiderojë këtë si fillimin e një epoke të re të artë në tenis.
Finalja e madhe Alcaraz–Sinner do të zhvillohet të dielën në mbrëmje, me fillim nga ora 20:00, sipas orës lokale.