Albana Vokshi dorëzon prova të reja në SPAK kundër Ogerta Manastirliut

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ka dorëzuar prova të tjera në kuadër të kallëzimit penal ndaj ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Sipas burimeve, SPAK i ka kërkuar prova shtesë deputetes demokrate, të cilave Vokshi u është përgjigjur sot duke u paraqitur personalisht në institucionin e drejtësisë.
Padia e Vokshit ka të bëjë me mesazhe të pretenduara që ministrja Manastirliu u ka dërguar mësuesve, përmes të cilave kërkohej pjesëmarrja e nxënësve në aktivitetet elektorale të Partisë Socialiste. Vokshi e konsideron këtë një shkelje të rëndë të ligjit dhe përdorim të administratës arsimore për qëllime politike.
SPAK pritet të vlerësojë provat e reja të dorëzuara dhe të vendosë për hapat e mëtejshëm procedurialë.