Kosova

Alarm i kuq për temperaturat në Kosovë: Prishtina apelon për kujdes të shtuar

Kjo javë pritet të karakterizohet nga temperatura jashtëzakonisht të larta në vendin tonë. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), gjatë ditës së sotme temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 38°C.

Përballë këtij rreziku, Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca ka lëshuar një apel për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë këtyre ditëve të nxehta.

“Temperatura e lartë për Kosovën – alarm i kuq. Temperatura maksimale ≥ 38°C – Kushtet e motit jashtëzakonisht të rrezikshme, veçanërisht nëse zgjat disa ditë rresht”, thuhet në njoftim.

Drejtoria thekson se këto kushte përbëjnë rrezik të lartë për jetën e njerëzve, sidomos për të sëmurët kronikë, personat që janë nën terapi dhe trajtim mjekësor, si dhe për kafshët. Po ashtu, paralajmërohen probleme të mundshme me furnizimin me ujë, energji elektrike dhe vështirësi në trafik.

“Nxehtësia ekstreme krijon kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve në pyje dhe hapësira të tjera”, thuhet më tej në njoftim.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet në diell gjatë orëve të pikut, të pijnë shumë ujë dhe të kujdesen për të moshuarit dhe fëmijët.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button