Al-Khelaifi pas humbjes ndaj Chelseat: Krenarë për sezonin më të mirë në historinë e PSG-së

Pas humbjes 0:3 nga Chelsea në finalen e Botërorit të Klubeve, presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi ka reaguar me një ton të balancuar, duke shprehur njëherazi zhgënjimin dhe krenarinë për arritjet e skuadrës së tij.
“Komplimente Chelseat, ata e merituan fitoren”, deklaroi fillimisht ai, para se të theksonte mbështetjen ndaj lojtarëve dhe stafit teknik.
“Duhet të jemi mjaft krenarë për atë që kemi realizuar këtë sezon. Dëshironim ta fitonim këtë Botëror të Klubeve, por nuk ishte e lehtë. Lojtarët dhanë gjithçka, ishin të lodhur”, shtoi presidenti i klubit francez.
Ai e cilësoi sezonin si më të mirin në historinë e PSG-së: “Sidoqoftë, bëmë një sezon të bukur, më të mirin në historinë e klubit. Jemi krenarë me lojtarët, me stafin teknik. Kjo humbje mund të na shërbejë për mirë në sezonin e ardhshëm. Duhet të jemi të përulur, ishim skuadra më e re e këtij kompeticioni.”
Në fund, Al-Khelaifi njoftoi se tani është koha për pushime, që lojtarët të rikuperojnë energjinë për sfidat e radhës.