Akuzohet për ngacmim seksual ndaj të miturit – Prokuroria kërkon 6 vite burg për Romeo Oçon

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka kërkuar dënimin me 6 vite burg për shtetasin R.O., i akuzuar për ngacmim seksual ndaj një të mituri. Ngjarja ka ndodhur më 25 nëntor 2024, kur R.O. dyshohet se ka ndjekur dhe ngacmuar seksualisht një djalë të mitur, A.Gj., të cilin ka tentuar ta tërheqë me forcë, pavarësisht refuzimit të të miturit.
Sipas hetimeve dhe kallëzimit të dorëzuar nga viktima, situata ka eskaluar në dhunë fizike, deri në momentin kur ndërhyri babai i të miturit, i thirrur nga djali përmes telefonit. Ekspertiza mjekoligjore ka konstatuar dëmtime në trupin e fëmijës të shkaktuara nga një mjet i fortë mbrehës.
Në dosjen hetimore theksohet edhe përdorimi i një fjalori poshtërues dhe të papërshtatshëm për moshën e viktimës, duke zbuluar qartazi synimin seksual të të pandehurit ndaj të miturit, pa dëshirën e këtij të fundit. R.O. rezulton të jetë edhe më parë i dënuar për të njëjtën vepër penale, sipas nenit 108/a/1 të Kodit Penal.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor dhe analizës së plotë të provave, Prokuroria ka kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurit për kryerjen e veprës penale “Ngacmim seksual” sipas nenit 108/a/2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 vite burgim.