Aksion i madh i Policisë dhe Prokurorisë Speciale, arrestohen 7 persona në kuadër të operacionit “Qielli i thyer”

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë realizuar sot një operacion të përbashkët, të koduar “Qielli i thyer”, gjatë të cilit janë arrestuar 7 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale.
Operacioni është zhvilluar në 25 lokacione të ndryshme në të gjithë vendin. Personat e arrestuar dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, si dhe pastrimi i parave. Sipas autoriteteve, ata dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e komunikimit të enkriptuar “SkyECC” për organizimin e aktiviteteve kriminale.
Gjatë realizimit të urdhërkontrolleve janë sekuestruar:
638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë;
Një peshore për matjen e lëndëve narkotike;
11,065 euro para të gatshme;
34 automjete;
7 armë zjarri;
Dokumente me identitet të rremë;
Pajisje elektronike;
Dokumentacion pronësor dhe financiar.
Operacioni u mbështet nga një bashkëpunim ndërkombëtar me autoritetet belge, franceze dhe holandeze, si dhe me agjencinë Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se do të vazhdojnë përkushtimin në luftimin e krimit të organizuar, duke synuar parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shkelin ligjin.



