
Një aksion i gjerë hetimor është duke u zhvilluar aktualisht në Kosovë lidhur me dyshimet për veprën penale të spiunazhit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ky operacion po zhvillohet nën udhëheqjen e saj, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të tij,” thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale.
Po ashtu, është theksuar se Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjet në fuqi.
Aktualisht, nuk dihet se kush janë personat e përfshirë në këtë çështje, apo në cilat zona të vendit po zhvillohet operacioni, por autoritetet premtojnë transparencë sapo të përmbyllen fazat sensitive të hetimit.
Ky është një ndër rastet më serioze që ndërlidhet me sigurinë kombëtare, duke shtuar vëmendjen publike dhe shqetësimin për rreziqet që kërcënojnë institucionet dhe informacionet shtetërore.