Lajme
Aksident tragjik në Bulqizë: Humb jetën një minator, arrestohen dy punonjës teknikë

Një aksident tragjik ndodhi dje në një galeri minerare në zonën D të Bulqizës, ku humbi jetën minatori 38-vjeçar K. D., si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor.
Policia ka arrestuar dy punonjës të stafit teknik, brigadierin G. K., 47 vjeç, dhe teknikun B. C., 62 vjeç, ndërsa drejtuesi teknik i subjektit minerar, R. P., 67 vjeç, u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Hetimet paraprake kanë treguar se përgjegjësit nuk kishin marrë masat e duhura për sigurinë në punë, duke çuar në humbjen e jetës së minatorit. Ngjarja po hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.



