Aksident tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”: Humb jetën një grua nga Shqipëria

Një aksident me fatalitet ka ndodhur të martën, më 14 maj 2025, në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku si pasojë ka humbur jetën një grua shtetase e Shqipërisë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, aksidenti ndodhi rreth orës 13:00 në kilometrin e 7-të të autostradës, ku janë përfshirë një kamion dhe një veturë me targa shqiptare. Të dy drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të Shqipërisë, ndërsa viktima ishte pasagjere në veturën e përplasur.
“Një automjet transportues (kamion) dhe një veturë e udhëtarëve me targa të Shqipërisë me drejtues meshkuj shtetas të Shqipërisë janë përfshirë në aksident trafiku në mes vete. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident ka ndërruar jetë një femër shtetase e Shqipërisë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik. Identiteti i viktimës ende nuk është bërë publik.