Lajme
Aksident tragjik në aksin Lushnjë-Fier, humb jetën një 77-vjeçar

Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mbrëmjen e djeshme në aksin Lushnjë-Fier, ku një motomjet ka përplasur një këmbësor, duke i shkaktuar këtij të fundit plagë të rënda që i morën jetën pak orë më vonë.
Sipas burimeve zyrtare, motomjeti drejtohej nga shtetasi A. H., 57 vjeç, banues në fshatin Pirrë, i cili përplasi këmbësorin Hakim Maledhi, 77 vjeç, banues në fshatin Rrapëz. Menjëherë pas aksidentit, i moshuari u transportua në spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë ngjarje tragjike.