Aksident tragjik në aksin Borsh–Fterrë, humb jetën një punonjës policie

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Borsh–Fterrë, ku një automjet me tre persona në bord ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, ndërsa si pasojë ka humbur jetën një punonjës policie dhe janë plagosur rëndë dy persona të tjerë.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti tip “Toyota” dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe ka dalë nga rruga në rrethana ende të paqarta.
Viktima është identifikuar si Eduard Maçi, 56 vjeç, punonjës në Policinë Kufitare në Sarandë, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të marra. Dy pasagjerët e tjerë, të identifikuar si R. X. dhe V. Th., ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore të specializuar.
Policia bën me dije se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e saktë të drejtuesit të automjetit në momentin e aksidentit.