Aksident i rëndë në Gjermani, autobus nga Kosova përplaset me kamion – 30 të plagosur

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pak pas mesnatës në autostradën Salzburg–Mynih (A8), pranë kryqëzimit të Irschenbergut, ku një autobus nga Kosova u përplas me një kamion.
Sipas raportimeve të policisë gjermane, nga 41 pasagjerët e autobusit, 30 persona mbetën të plagosur, mes tyre dy në gjendje të rëndë. Katër të tjerë u dërguan në spitalet aty pranë për ekzaminime dhe trajtim.
Hetimet paraprake tregojnë se shoferi i autobusit e kishte vërejtur vonë automjetin përpara. Ai tentoi të devijonte majtas, por përfundoi duke u përplasur me rimorkion e kamionit, ku pjesa e përparme e autobusit ngeci dhe pësoi dëme të mëdha.
Në vendngjarje intervenuan ekipe të shumta të ndihmës së shpejtë, mjekë emergjence, sanitarë dhe një helikopter. Për të koordinuar trajtimin e të plagosurve, autoritetet ngritën një pikë grumbullimi në stacionin e zjarrfikësve në Irschenberg.
Për shkak të aksidentit, autostrada në drejtim të Mynihut u mbyll për rreth dy orë, duke shkaktuar pengesa në qarkullim.