Kosova

Aksident i rëndë në Gjermani, autobus me pasagjerë nga Kosova përplaset me kamion në A8

Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit të rëndë që ndodhi pak pas mesnatës në autostradën A8 Salzburg–Mynih, pranë kryqëzimit të Irschenbergut, ku një autobus me pasagjerë nga Kosova u përplas me një kamion me rimorkio.

Sipas raportimeve të para të policisë, deri më tani nuk ka prova që të tregojnë për ndonjë defekt teknik në mjetet e përfshira. Hetimi është përqendruar tek arsyeja pse shoferi i autobusit nuk arriti të dallojë në kohë kamionin para tij. Burimet policore thonë se shoferi tentoi të devijonte në momentin e fundit, por përplasja me pjesën e pasme të rimorkios ishte e pashmangshme.

Nga aksidenti u plagosën 30 prej 41 pasagjerëve që ndodheshin në autobus. Dy persona janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në spital, ndërsa katër të tjerë janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme.

Dëmi material i shkaktuar nga përplasja vlerësohet në rreth 150 mijë euro. Autobusi është tërhequr nga vendi i ngjarjes, ndërsa kompania e transportit ka dërguar menjëherë një mjet tjetër për të transportuar pasagjerët e padëmtuar. Kamioni, i cili pësoi dëmtime më të lehta, është lëvizur deri në një parking të afërt, ku ngarkesa u transferua në një mjet tjetër.

Autostrada në drejtim të Mynihut u mbyll për rreth dy orë për të lejuar operacionet e shpëtimit dhe pastrimin e rrugës. Policia dhe shërbimet emergjente kanë vlerësuar ndërhyrjen e shpejtë dhe bashkëpunimin profesional të ekipeve në vendngjarje.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button