Aksident fatal në Prishtinë, humb jetën një motoçiklist – arrestohet shtetasi gjerman

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën “Edmond Hoxha” në Prishtinë, ku si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i një motoçiklete.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur sot, përmes raportit 24-orësh, se ka arrestuar personin që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar me nënshtetësi gjermane.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari, ndërsa ishte duke drejtuar automjetin, ka goditur motoçikletën që drejtohej nga viktima, një mashkull kosovar, i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Hetimet rreth këtij rasti tragjik janë në zhvillim e sipër.