
Megjithë premtimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe transferimin e pronave tek Fondi Sovran, agjencia vazhdon të funksionojë dhe ka intensifikuar aktivitetin e saj.
Më 13 gusht, AKP-ja njoftoi se, në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ka identifikuar 461 prona të reja me një sipërfaqe rreth 400 hektarë, që më parë nuk figuronin në listat zyrtare. Në fund të muajit korrik, agjencia kishte 134 asete në dispozicion për shitje, por ofertë janë dorëzuar vetëm për 63 prej tyre. Ndërkohë, në qershor, u publikua lista për dhënie me qira të 671 aseteve – tokë dhe objekte – me kontrata njëvjeçare, me mundësi vazhdimi dhe kusht ndërprerjeje në rast privatizimi.
Fondi Sovran, që do të duhej ta zëvendësonte AKP-në, ende nuk është funksional. Ligji për krijimin e tij u miratua në dhjetor 2023, por u dërgua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga LDK dhe PDK, me pretendimin se bie ndesh me parimet e ekonomisë së tregut. Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, vendimi i Gjykatës ende nuk ka ardhur.
Qeveria në detyrë ka theksuar se Ligji për Fondin Sovran do t’i hapte rrugë shuarjes së AKP-së, ndërsa vonesa e Gjykatës është “përtej çdo afati ligjor”. Fondi Sovran synon menaxhimin e ndërmarrjeve publike me karakter komercial, përfshirë Trepçën, KEK-un, Postën, Telekomin, Infrakosin dhe Trainkosin, si dhe asetet me potencial zhvillimor. Kapitali fillestar i fondit parashihet të jetë 20 milionë euro, i mbuluar nga buxheti i shtetit.
Procesi i privatizimit ka nisur që në vitin 2003 dhe deri më sot janë privatizuar 2.323 asete me një vlerë totale rreth 800 milionë euro. Megjithatë, mbi 15 mijë prona të ndërmarrjeve shoqërore mbeten të pashitura. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se privatizimi nuk ka sjellë zhvillim të hovshëm ekonomik dhe shpenzimet e AKP-së mbeten më të larta se të hyrat.
Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest thotë se vazhdimi i funksionimit të AKP-së është i paarsyeshëm dhe sugjeron që pronat e mbetura t’u kalojnë ministrive përkatëse për shitje të shpejtë. Profesori Ujkan Bajra thekson se agjencia nuk e justifikon ekzistencën e saj dhe është një barrë për buxhetin, ndërsa profesori Berim Ramosaj sugjeron që AKP-ja të mos mbyllet përpara përmbushjes së plotë të mandatit të saj.
Sipas planeve të Qeverisë, pas themelimit të Fondit Sovran, 6.907 asete do t’i kalojnë këtij institucioni, 3.121 toka pyjore do të transferohen tek Agjencia e Pyjeve, ndërsa 574 asete do t’u jepen institucioneve publike dhe po kaq të tjera do të hiqen për interes publik. Deri në funksionalizimin e fondit, AKP-ja duket se do të vazhdojë aktivitetet e saj.