Kosova

AKK reagon ndaj bllokimit të xhirollogarive të komunave: “Po paralizohet funksionimi i pushtetit lokal”

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të disa komunave, përfshirë Ferizajn, Lipjanin dhe të tjera, që ka ndodhur sot, më 15 korrik 2025. Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka quajtur këtë një hap të rrezikshëm që po paralizon funksionimin institucional në nivel lokal.

Sipas Ibrahimit, bllokimi i xhirollogarive po pengon ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, siç janë shërbimet publike, mirëmbajtja e infrastrukturës dhe pagesat esenciale për administratën komunale.

“Ky është një bllokim i drejtpërdrejtë i qytetarëve. Komunat nuk mund të mbajnë përgjegjësi për vendime që nuk i kanë marrë vetë. Nëse ka borxhe nga kontrata kolektive apo vendime përmbarimore që burojnë nga niveli qendror, atëherë përgjegjësia duhet të adresohet aty,” u shpreh ai në një prononcim për Telegrafin.

AKK ka kërkuar lirimin urgjent të xhirollogarive komunale dhe një zgjidhje të qëndrueshme, si në aspektin ligjor ashtu edhe financiar, që do të garantonte funksionimin normal të komunave dhe do të mbronte autonominë e pushtetit lokal.

“Bllokimi i komunave është i papranueshëm dhe duhet të marrë fund menjëherë,” theksoi Ibrahimi.

AKK paralajmëron se nëse nuk ka veprime konkrete nga institucionet qendrore, do të shqyrtojë masa të tjera reagimi për të mbrojtur funksionalitetin dhe interesin e qytetarëve në nivel lokal.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button