Lajme

Akil Kraja në Kongresin e PPE në Valencia: Shqipëria ka humbur trenin e integrimit europian, vetëm një qeveri e djathtë mund ta rikthejë në shina

Në kongresin e Partive Popullore Europiane (PPE), që po zhvillohet në Valencia, Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Opozitës dhe kandidati për deputet për Tiranën, Akil Kraja, ngriti shqetësimin se Shqipëria ka humbur për një dekadë trenin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e vendit.

Në panelin me titull “MEGA – Make Enlargement Great Again: The Geopolitical Importance of the Western Balkans”, të organizuar nga WMCES – Martens Center në kuadër të kongresit të PPE, Kraja ndau skenën me eurodeputetin kroat Karlo Ressler dhe personalitete të tjera të së djathtës europiane.

Gjatë fjalës së tij, Kraja theksoi se mbi 1 milion shqiptarë janë larguar drejt vendeve të BE-së në 12 vitet e fundit, ndërsa vendi humbet çdo vit rreth 1 miliard euro në kosto oportune për shkak të emigracionit. “Ekonomia po ndikohet rëndë, ndërmarrjet prodhuese po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, dhe sektori i turizmit përballet me mungesë të burimeve njerëzore profesionale”, u shpreh ai.

Sipas tij, projekti “Open Balkans” është i destinuar të dështojë dhe e vetmja rrugë përpara është integrimi europian. “Për Partinë Demokratike dhe të djathtën shqiptare, nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së. PD qëndron fort përkrah Europës dhe sanksioneve të saj kolektive ndaj influencave malinje nga vende si Rusia”, shtoi Kraja.

Ai vlerësoi gjithashtu kontekstin aktual gjeopolitik si një mundësi të artë për rajonin, duke theksuar se afrimi SHBA-BE i favorizon vendet e Ballkanit Perëndimor. “Perspektiva e anëtarësimit në NATO duhet të ecë paralelisht me procesin e integrimit në BE. Vetëm me një qeveri të djathtë pas 11 majit, Shqipëria mund të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Europian”, përfundoi Kraja.

Paneli përmbylli diskutimin me një mesazh të qartë: Shqipëria dhe rajoni duhet të jenë pjesë e BE-së brenda 5 viteve të ardhshme, duke kujtuar se zgjerimet e mëparshme kanë sjellë përfitime të dukshme për vetë Unionin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button