AGK kërkon nga Qeveria alokimin urgjent të buxhetit për RTK-në

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim për gjendjen financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku rreth 700 punëtorë ende nuk kanë marrë pagat për muajin korrik.
Në një reagim publik, AGK-ja tha se është e brengosur për mirëqenien ekonomike të punonjësve, të cilët vazhdojnë të punojnë edhe gjatë muajit gusht pa u paguar. Asociacioni i bëri thirrje menaxhmentit të RTK-së që të intensifikojë përpjekjet për sigurimin e buxhetit dhe të jetë transparent me të punësuarit.
AGK e konsideron mosalokimin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit si një formë presioni politik nga ana e Qeverisë në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ndaj transmetuesit publik.
“Është koha e fundit që Qeveria të eksplorojë të gjitha mundësitë ligjore për të alokuar mjetet që i takojnë RTK-së. AGK-ja qëndron në solidaritet me kolegët e RTK-së dhe njeh punën e tyre të rëndësishme për informim në interes të publikut”, thuhet në reagim.