Kosova

Prindërit e Astrit Deharit i drejtohen me letër prokurorit të ri të rastit

Prindërit e aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i janë drejtuar me një letër prokurorit të ri të rastit, Bekim Kodraliu, duke kërkuar informacione mbi hetimet për vdekjen e djalit të tyre.

Avni dhe Xhemile Dehari kanë theksuar se që nga marrja e rastit nga Kodraliu, para një viti, nuk kanë marrë asnjë njoftim për ecurinë e hetimeve, ndërsa më herët rasti ishte në dorë të ish-prokurorit Afrim Shefkiu, i cili është pensionuar.

“Është e drejtë e jona si prindër të Astrit Deharit që të na informoni për të gjitha veprimet që keni ndërmarrë si prokuror i rastit”, thuhet në letrën e tyre, e publikuar nga avokati Tomë Gashi.

Prindërit kanë rikujtuar se që nga kalimi i rastit në Prokurorinë Speciale më 30 tetor 2019, nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për epilogun e hetimeve. Ata kërkojnë që informatat t’u dërgohen me shkrim “sa më shpejt që është e mundur”, duke theksuar se as nga prokurori i mëparshëm nuk janë informuar për vite të tëra.

Astrit Dehari ndërroi jetë më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa rasti i tij mbetet ende i pazbardhur.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button