
Drejtues i ‘Institutit të Studimeve Politike’, Afrim Krasniqi, në një deklaratë për media, ka komentuar procesin zgjedhor duke ngritur shqetësime të shumta mbi standardet dhe problematikat që kanë shoqëruar.
Ai u ndal fillimisht te dita e zgjedhjeve dhe reagimet e partive politike, duke theksuar se tashmë procesi i votimit ka përfunduar dhe vëmendja duhet të përqendrohet te numërimi i votave, si dhe te faza ankimore, e cila do të tregojë nëse do të respektohen apo jo afatet dhe rregullat ligjore të përcaktuara.
Krasniqi, në cilësinë e drejtorit të Institutit të Studimeve Politike, deklaroi se institucioni që ai përfaqëson ka ndjekur me vëmendje çështjet e dekriminalizimit dhe ka konstatuar mungesën e një verifikimi të thelluar paraprak për kandidatët.
Ai theksoi se në lista janë përfshirë persona me të shkuar kriminale apo të korruptuar, duke akuzuar partitë politike se nuk kanë respektuar integritetin minimal që kërkohet për përfaqësuesit politikë.
Një tjetër pikë kritike në deklaratën e tij ishte përfshirja e grupeve informale në fushatën zgjedhore dhe në ditën e votimit.
Sipas Krasniqit, këto grupe kanë qenë aktive jo vetëm në shtabet elektorale, por edhe në financimin e fushatës, duke shtuar dyshimet për ndikime të paligjshme dhe mungesë transparence në procesin zgjedhor.
Ai komentoi gjithashtu edhe votën e diasporës, për të cilën u shpreh se ndodhi përmes dy proceseve të ndara, një brenda territorit shqiptar dhe një jashtë tij të shoqëruara me problematika që kërkojnë analizë të mëvonshme dhe vëmendje institucionale.
Afrim Krasniqi:
“Deri diku në ditën e zgjedhjeve në reagimin e partive politike dhe në atë që ne mbulojmë çështjen e dekriminalizimit apo grupeve të ndryshme kriminale për fushatën elektorale.
Zgjedhjet kanë përfunduar e tani është koha e numërimit të votave dhe ne duhet të shohim rezultatin dhe pjesën ankimore për të kuptuar deri diku se sa do respektohen të gjitha afatet.
Dita e sotme më shumë është një konsideratë e përgjithshme për atë që ne kemi parë.
Si ‘Instituti i Studimeve Politike’, më lejoni të them se ne kemi monitoruar çështjet e dekriminalizimit, dhe e humbëm shansin për të bërë verifikimin paraprak të kandidatëve, dhe ne pamë kandidatë me rekorde kriminale ose korruptive të cilët ishin pjesë e listave të partive politike, çfarë do të thotë partitë nuk respektuan integritetin që kërkohej për kandidatët.
Po ashtu kemi parë edhe përfshirje të grupeve informale në të gjithë fushatën elektorale, në këtë proces përfshirë në shtabet elektorale ditën e zgjedhjeve apo financimin e tyre.
Kemi ndjekur po ashtu edhe votën e diasporës, e cila duket se kemi të bëjmë me dy procese votimi, një brenda territorit e një jashtë tij, me të gjitha problematikat që i kanë shoqëruar ato për të cilat do kemi dhe një reagim më vonë.
Në lidhje me problematikat e tjera, ne kemi parë disa incidente që i konsiderojmë të evitueshme, por deri diku tregues të një lloji tensioni të madh politik që patëm ditën e zgjedhjeve.
Personalisht këtë e quaj një shans të humbur të Shqipërisë që për 34 vite në tranzicion të mos arrijë të krijojë standarde normale të zgjedhjeve të një vendi demokratik që supozohet të shkojë drejt BE-së”.