Afera me banesat sociale në Durrës – Gjykata e Posaçme dënon 8 persona, mes tyre Gëzim Sylaj

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin për një skemë korrupsioni në Durrës, ku përmes premtimeve të rreme për banesa sociale janë përfituar mijëra euro nga qytetarët. Në qendër të kësaj afere ishte Gëzim Sylaj, i cili u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 2 vjet e 4 muaj burg.
Bashkëpunëtorët e tij, Vasil Karasaliu, Viola Mema dhe Behare Luzi, u shpallën fajtorë dhe morën dënime nga 2 deri në 3 vite burg. Pas uljes me 1/3, dënimet përfundimtare variojnë nga 1 vit e 4 muaj deri në 2 vite. Mema dhe Luzi përfituan edhe nga bashkimi i dënimeve dhe u dënuan me nga 2 vite burg secila, por për Luzin, gjykata urdhëroi pezullim të dënimit dhe vuajtje në provë për 4 vite, nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës Durrës.
Edhe Enxhi Çelaj, e dënuar për ndikim të paligjshëm, u vendos në provë për 3 vjet e 8 muaj, ndërsa Gazmend Panxha dhe Sokol Sylaj, të dënuar përkatësisht me 10 dhe 8 muaj burg, do të qëndrojnë në provë për 20 muaj.
Skema u zbërthye pas një denoncimi nga emisioni “Fiks Fare” dhe një operacioni të Policisë së Shtetit në nëntor 2024. U sekuestruan dokumente, celularë, një armë sportive dhe automjete luksoze.
Sipas vendimit, të dënuarit përfitonin deri në 15 mijë euro nga qytetarët në këmbim të banesave sociale që nuk ekzistonin. Trupi gjykues përbëhej nga gjyqtarët Bib Ndreca, Etleva Deda dhe Erjon Çela. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurimit për të gjithë të dënuarit.