AfD përjashton anëtarin Robert Risch pas pjesëmarrjes në forum të ekstremit të djathtë në Rusi

Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) në Hamburg ka përjashtuar anëtarin lokal, Robert Risch, nga këshilli i qytetit, pasi imazhet e analizuara nga Radio Evropa e Lirë treguan se ai mori pjesë në një forum të ekstremit të djathtë në Rusi.
Sipas REL, Risch ishte pjesëmarrës në një konferencë të mbajtur më 12 shtator në Shën Petersburg, e cila mblodhi politikanë të ekstremit të djathtë nga disa shtete.
Udhëheqësi i AfD-së në Hamburg, Dirk Nockemann, tha se më pak se një muaj pas këtij udhëtimi, udhëheqja e partisë vendosi unanimisht të iniciojë procedura disiplinore ndaj Risch.
Vetë Risch mohoi akuzat, duke deklaruar se udhëtimi në Rusi kishte qenë privat dhe se ishte ftuar nga “një mike”, ish-anëtarja e AfD-së në këshillin e Hamburgut, Olga Petersen. Ai shtoi se udhëtimi kishte përkuar me ditëlindjen e Petersenit dhe se nuk kishte dijeni paraprakisht për pjesëmarrësit apo agjendën e konferencës.
“Unë po bëja fushatë për paqe dhe nuk mund të mbahem përgjegjës për personat që ndodheshin në të njëjtin ambient me mua,” tha Risch.
Ndërkohë, edhe ndaj Petersenit janë nisur procedura për përjashtim nga partia. Ajo aktualisht jeton në Rusi dhe ka shprehur publikisht mbështetje për qeverinë ruse.
Në mars të vitit 2024, Petersen kishte marrë pjesë si vëzhguese në zgjedhjet presidenciale ruse, duke i cilësuar ato si “të hapura, demokratike dhe të lira”. Në shkurt, ajo kishte publikuar fotografi me ushtarë rusë në territore të pushtuara të Ukrainës.
Forumi në Shën Petersburg u paraqit si një konferencë themeluese për “Ligën Ndërkombëtare Antiglobaliste” të quajtur Paladins, ku morën pjesë politikanë të ekstremit të djathtë nga Franca, Gjermania, Italia, Meksika, Spanja, Afrika e Jugut dhe Serbia.
/REL/



