Kosova

Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës po afron, interesi mbetet i ulët

Vetëm edhe dy javë kanë mbetur deri më 29 gusht 2025, kur përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Procesi, i nisur më 23 korrik, deri më tani ka ngjallur pak interesim.

Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri më 15 gusht në orën 12:00, përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 7,026 aplikime për regjistrim për votim me postë. Prej tyre, 5,445 janë aprovuar, ndërsa 1,581 janë refuzuar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur dokument që dëshmon adresën e tyre jashtë Kosovës, si p.sh. dokument identifikues me adresë banimi, vërtetim nga autoritetet lokale, kontratë qiraje, fatura shërbimesh apo dokumente të tjera të ngjashme.

Nga të dhënat komunale, më së shumti votues të regjistruar jashtë vendit ka Suhareka me 526, pasuar nga Deçani me 442, Dragashi me 440, ndërsa Istogu, Gjakova dhe Klina kanë secila mbi 300 votues të regjistruar.

Sa i përket vendeve ku jetojnë, numri më i madh i aplikuesve vjen nga Gjermania (2,767), e pasuar nga Zvicra (1,121) dhe vende të tjera të Evropës dhe botës.

Afati për regjistrim mbyllet më 29 gusht dhe KQZ u bën thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë në kohë për të garantuar të drejtën e tyre për të votuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button