Adoleshenti kosovar në Gjermani nën hetim për sulm ndaj mësueses në Essen

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë profesionale në Essen të Gjermanisë, ku një 17-vjeçar me prejardhje nga Kosova ka plagosur rëndë një mësuese. Ministri i Brendshëm i landit Nordrhein-Westfalen (NRW), Herbert Reul, bëri të ditur se hetimet e para sugjerojnë se pas ngjarjes mund të fshihen motive të natyrës fetare.
Sipas autoriteteve, në pajisjet e sekuestruara të të miturit janë gjetur video ku ai shprehet për arsyet e sulmit dhe përdor thirrje me përmbajtje fetare. Burime nga policia shtojnë se provat për një prapavijë islamiste po shtohen.
I mituri kosovar ishte i njohur më herët për policinë gjermane për kërcënime, shkelje të ligjit mbi armët dhe incidente të tjera të dhunshme. Në vitin 2023 ai ishte klasifikuar si individ me potencial rreziku, por ky vlerësim ishte anuluar pas disa muajsh.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse ai ka lidhje edhe me një rast tjetër sulmi që ndodhi po atë ditë në qendër të Essenit, ndaj një personi të pastrehë.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik gjerman, ndërsa hetimet po vazhdojnë.