Sport

Ademi sqaron situatën me Albian Hajdarin: “Do të ishim krenarë ta kishim te Kosova”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka folur për të ardhmen e Albian Hajdarit, përforcimit më të ri të Hoffenheimit, i cili ende është mes Zvicrës dhe Kosovës sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar.

Në një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, Ademi shprehu dëshirën e madhe për ta parë mbrojtësin e talentuar me fanellën e Kosovës.

“Ne do të ishim të hapur për Albianin. Do të na bënte të lumtur dhe krenarë nëse ai do të na zgjidhte ne. Por, ne e mbështesim çdo vendim që ai e merr. Të gjithë kosovarët – qofshin nga Zvicra apo nga vende të tjera – janë të mirëpritur tek ne. Madje ua japim atyre mundësinë të na provojnë para se të vendosin, pavarësisht nëse luajnë në futbollin e meshkujve apo të grave”, tha kreu i FFK-së.

Ai shtoi se Kosova nuk e ka fokusin vetëm te lojtarët që vijnë nga Zvicra, por edhe nga vende të tjera evropiane.

“Ju thjesht e keni një komunitet të madh kosovar këtu. Por, fokusi ynë nuk është veçanërisht te Zvicra; ne kemi edhe lojtarë nga Gjermania, Franca dhe Skandinavia. Ju (zviceranët) vini re vetëm lojtarët që vijnë nga Zvicra, prandaj keni atë ndjesi (qesh)”, përfundoi Ademi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button