Abdixhiku: Vetëvendosje po e uzurpon Kuvendin, vendi në krizë kushtetuese

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokim të qëllimshëm të procesit të konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar situatën aktuale si përmbysje të rendit kushtetues në vend.
Në një deklaratë për media, Abdixhiku tha se LVV-ja nuk po tregon asnjë nxitim për të gjetur një zgjidhje politike dhe, sipas tij, po uzurpon edhe ulësen e Kuvendit, duke mos i lënë hapësirë zhvillimit demokratik dhe fjalës së lirë të deputetëve.
“Është e qartë se pas 30 ditëve, ky Kuvend, nëse nuk konstituohet, ka huqur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Duhet një interpretim i ri, sepse gjykata nuk ka përcaktuar se çfarë ndodh në këtë rast”, u shpreh Abdixhiku, duke shtuar se nuk pret ndonjë zgjidhje në ditët e mbetura deri më 26 korrik, afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përfundimin e seancës konstituive.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon përpjekjet për të formuar një komision për votim të fshehtë, duke e hedhur këtë propozim pothuajse çdo dy ditë në Kuvend. Megjithatë, ai nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme. Partitë e tjera shqiptare i qëndrojnë qëndrimit se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e përjashton mundësinë e votimit të fshehtë, ndërsa LVV insiston se ai e lejon këtë formë.
Përpjekja për votim të fshehtë ka ardhur pas dështimit të njëpasnjëshëm të Albulena Haxhiut, kandidatë e LVV-së për kryetare të Kuvendit, për të marrë shumicën prej 61 votash.
Ndërsa afati kushtetues po i afrohet fundit, ngërçi institucional mbetet i pazgjidhur dhe vendi mund të përballet me pasoja të reja ligjore dhe politike.