Kosova

Abdixhiku: Opinioni i GJND-së, vulë legjitimiteti ndërkombëtar për shtetësinë e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar 15-vjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e cilësuar atë si një moment historik që vulosi legjitimitetin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

“Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ky konstatim historik ishte rezultat i një pune të përkushtuar të njerëzve më profesionistë dhe përkrahjes së pakusht të aleatëve tanë ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet demokratike të Bashkimit Evropian,” u shpreh Abdixhiku.

Ai tha se vendimi i GJND-së nuk ishte vetëm një fitore ligjore, por edhe një konfirmim i të drejtës historike dhe politike të Kosovës për të qenë një shtet i lirë dhe i pavarur.

Duke theksuar kontributin e subjektit që drejton, Abdixhiku nënvizoi: “Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet krenare për rolin e saj të pazëvendësueshëm në të gjithë këtë proces, në rrugën e shtetformimit dhe të afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.”

Në fund, ai shprehu respekt për të gjithë ata që kontribuan në këtë arritje madhore dhe riafirmoi përkushtimin e LDK-së për një Kosovë demokratike dhe të barabartë mes kombeve të lira.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button