AAK zyrtarizon kandidatët për Lipjan e Shtime: Bashkim Budakova dhe Ramë Bislimi në garë për kryetarë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka finalizuar nominimet për zgjedhjet lokale, duke prezantuar dy kandidatë të rinj për komunat e Lipjanit dhe Shtimes.
Pas tërheqjes së Lir Tashollit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se kandidati i kësaj partie për Kryetar të Lipjanit do të jetë Bashkim Budakova. Haradinaj e ka cilësuar Budakovën si një profesionist me përvojë të gjatë në arsim dhe një përfaqësues të dëshmuar të qytetarëve në Kuvendin Komunal.
“Bashkimi njihet si njeri me integritet të lartë, i afërt me komunitetin dhe i palëkundur në mbrojtjen e interesit publik. Ai përfaqëson modelin e udhëheqësit të përkushtuar, me vizion të qartë për zhvillimin e Lipjanit dhe me gatishmëri për të ndërtuar një qeverisje të ndershme dhe përgjegjëse”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërkohë, kandidati i AAK-së për Kryetar të Shtimes është zyrtarizuar Ramë Bislimi.
“Ramë Bislimi gëzon besimin e komunitetit dhe sjell me vete një përvojë të pasur dhe një përkushtim të palëkundur për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe qeverisje transparente. Ai është garanci për një Shtime më të mirë, më të drejtë dhe më të organizuar”, ka thënë Haradinaj.
Me këto dy kandidatura, AAK përmbyll zyrtarisht procesin e nominimeve për zgjedhjet lokale, duke theksuar si vlera udhëheqëse ndershmërinë, profesionalizmin dhe besimin në qytetarët.