Kosova

AAK refuzon kandidimin e Limajt për kryeparlamentar, Nisma pret marrëveshje me Kurtin

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, ka konfirmuar se partia e tij nuk do ta përkrahë kandidimin e Fatmir Limajt për postin e kryetarit të Kuvendit, në rast se një propozim i tillë do të ndodhë.

“E kemi thënë disa herë që në asnjë rrethanë nuk do ta votonim Fatmir Limajn për kryeparlamentar’’, tha Brahimaj për Front Online.

Ndërkohë, nga radhët e Nismës Socialdemokrate, deputetja Xhevahire Izmaku ka njoftuar se gjatë fundjavës do të zhvillohet një takim mes liderit të këtij subjekti politik, Fatmir Limajt, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Sipas saj, qëllimi i këtij takimi është arritja e një marrëveshjeje për postin e kryeparlamentarit, për të cilin Nisma nuk ka hequr dorë.

“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, tha Izmaku.

Ajo theksoi se Limaj po tregohet i gatshëm të dalë mbi interesat personale e partiake, duke shtuar se ky qëndrim duhet të shërbejë si shembull për të gjithë spektrin politik.

“Të shpresojmë që më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”, u shpreh ajo.

Izmaku përmendi se bisedimet kanë zgjatur me muaj të tërë dhe se takimi i radhës mes Limajt dhe Kurtit, qoftë si “kafe apo drekë”, pritet të prodhojë një epilog pozitiv dhe të ndihmojë në konsolidimin e institucioneve në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button