Kosova

AAK propozon me ironi Albin Kurtin për anëtar të Komisionit Zgjedhor në Kuvend

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka shkaktuar reagime në sallën e Kuvendit gjatë seancës konstituive të mbajtur sot, duke përdorur ironi në adresë të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Gjatë diskutimeve për formimin e komisionit zgjedhor, i cili ka për qëllim mundësimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit përmes votimit të fshehtë, Kadrijaj deklaroi se AAK ka ndryshuar qëndrim dhe tashmë është e gatshme të propozojë një emër për këtë komision.

“Ne si AAK kemi ndryshuar qëndrim, na vjen keq për partitë e tjera ish-opozitare, dhe e kemi një emër për komision. E propozojmë deputetin Albin Kurti,” tha Kadrijaj me tone ironike.

Deklarata e saj u pa si një thumbim politik në drejtim të Vetëvendosjes dhe vetë Kurtit, në një kohë kur bllokada institucionale ka mbërthyer Kuvendin dhe zgjedhja e kryeparlamentarit po dështon për herë të njëpasnjëshme.

Për momentin, nuk ka ende ndonjë reagim nga Kurti apo grupi parlamentar i VV-së për këtë deklaratë. /Gazeta Express

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button