AAK konfirmon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Presidentja Osmani

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka konfirmuar se partia e saj do të marrë pjesë në takimin e liderëve të partive politike të thirrur nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kadrijaj, në një deklaratë për media, theksoi se Presidentja duhet të ketë një rol më aktiv në zgjidhjen e situatës politike të krijuar pas konstituimit të dështuar të Kuvendit.
“Tash e lexova që ka ardhur ftesa për liderët e partive politike për takim me presidenten. Duhet të marrë rol më shumë presidentja, por duhet të jetë tepër e qartë dhe e saktë, sepse ne po e shohim që VV po e interpreton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ashtu siç do vetë. Po, do t’i përgjigjemi ftesës”, deklaroi ajo.
Ky takim pritet të jetë përpjekje për të tejkaluar bllokadën institucionale që po zvarrit procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.