
Flamur Noka u përplas me gazetarët, pasi këta të fundit e pyetën a do japë dorëheqjen Sali Berisha pas humbjes së thellë që pësoi në zgjedhje, ashtu siç ia dikton statuti. Por, Noka u irritua nga kjo pyete dhe u përplaset me gazetarët duke u thënë se Berisha do japë dorëheqjen vetëm kur në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira.
“Për të gjithë ju që merrni instruksione te Fuga, kam një përgjigje: Statuti është zbatuar dhe do të zbatohet nga Partia Demokratike me përpikmërinë më të madhe në momentin që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira, çdokush brenda nesh do të mbajë përgjegjësi”, tha Noka.
Edhe Noka vijoi me akuzat se zgjedhjet i vodhën, duke thënë se PD nuk do t’i njohë kurrë.
“Një masakër zgjedhore si ajo e 11 majit nuk do njihet kurrë nga PD dhe opozita. OSBE-ODIHR vuri në dukje që në Shqipëri ka patur një masakër zgjedhore, përdorimi i administratës, i bandave kriminale ishin ata që ndikuan në tjetërsimin e votës së Shqiptarëve. A mund të pranohet kjo, kurrën e kurrës”, tha Flamur Noka.
PD dhe opozita është përfaqësuesja e vullnetit të shqiptarëve. Faktori ndërkombëtar e vuri gishtin mbi plagët, krimi, korrupsioni, patronazhimi, keqpërdorimi i administratës. A nuk u ble vota me 100 euro, vendimi për faljen e gjobave a nuk është blerje vote. Krimi i organizuar a ka ndikuar në tjetërsimin e rezultatit. A doni prova? Unë kisha informacione që në Vorë po votonin banditët në vend të qytetarëve”, vijoi Noka.