Gara e ngushtë për mandatet e fundit në Tiranë: Socialistët në betejë votash brenda listës së hapur

Procesi i numërimit të votave në Qarkun e Tiranës po i afrohet fundit, ndërsa kanë mbetur vetëm 11 kuti për t’u numëruar nga gjithsej 1282. Deri tani janë numëruar 1272 kuti, duke zbuluar një garë të fortë mes kandidatëve të Partisë Socialiste përmes listës së hapur.
PS-ja ka siguruar 19 mandate në këtë qark, prej të cilave 12 i takojnë listës së sigurtë, kandidatëve që kanë hyrë automatikisht në Kuvend falë votave për logon e partisë. Por, gara më e fortë zhvillohet për 7 mandatet e mbetura, të cilat varen nga votat preferenciale për kandidatët individualë.
Sipas rezultateve të deritanishme, më i votuari nga radhët e socialistëve është Blendi Gonxhja me 21,809 vota. Pas tij renditet deputeti me përvojë, Erion Braçe, i cili ka siguruar 20,261 vota.
Në listën e emrave më të votuar vijon ministri Ervin Hoxha me 18,764 vota, ndjekur nga Fatmir Xhafaj me 12,453 vota, dhe Ornaldo Rakipi me 9,442 vota. Për shkak të kuotës gjinore, edhe Anila Denaj me 8,656 vota dhe Blerina Gjylameti me 5,715 vota janë aktualisht në garë për një vend në Kuvend.
Situata mbetet e tensionuar, teksa gara për mandatin e 18-të dhe 19-të është tepër e ngushtë. Ornaldo Rakipi dhe Xhemal Qefalia ndahen nga vetëm 42 vota, ndërkohë që një tjetër përballje vendimtare po zhvillohet mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës, me një diferencë prej vetëm 24 votash.
Në pritje të kutive të fundit, mbetet për t’u parë se cilët kandidatë do të sigurojnë votat e nevojshme për të hyrë në Kuvend nëpërmjet listës së hapur, në një garë që ka gjallëruar rivalitetin edhe brenda vetë Partisë Socialiste.