Lajme

INSTAT: Popullsia e Shqipërisë po pakësohet – lindjet bien me 14.1%

Popullsia e Shqipërisë ka pësuar një tkurrje natyrore gjatë tre muajve të parë të vitit 2025, pasi numri i vdekjeve ka tejkaluar atë të lindjeve. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, bilanci natyror i popullsisë për këtë periudhë rezulton negativ me 883 persona më shumë që kanë ndërruar jetë sesa kanë lindur.

Rënia më e ndjeshme është vërejtur tek numri i lindjeve, i cili ka shënuar një ulje prej 14.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, gjatë tremujorit të parë të 2025-ës, janë regjistruar 1,750 lindje vetëm në qarkun e Tiranës, i cili vijon të mbajë peshën më të madhe të natalitetit në vend. Ndërkohë, Gjirokastra mbetet në fund të listës me vetëm 76 lindje, duke vijuar trendin e ulët të lindshmërisë që ka karakterizuar këtë qark edhe gjatë vitit 2024, kur u regjistruan gjithsej 336 lindje.

Nga ana tjetër, edhe pse numri i vdekjeve ka shënuar një rënie me 5.8%, ai vijon të mbetet më i lartë se ai i lindjeve. Vetëm në Tiranë janë regjistruar 1,423 vdekje në tremujorin e parë, ndërsa qarku i Shkodrës ka shënuar një rritje të ndjeshme të vdekjeve me 4.3%.

Për të bërë një krahasim, gjatë gjithë vitit 2024, në Shqipëri u regjistruan 23,310 lindje dhe 22,102 vdekje, me një bilanc pozitiv prej 1,208 lindjesh më shumë. Por të dhënat e këtij viti ngrejnë shqetësime të reja mbi dinamikën demografike dhe rënien e vazhdueshme të lindshmërisë në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button