Lajme

Kryeministrja e Letonisë nga Tirana: Vetëm Rusia nuk e dëshiron paqen në rajon, kërkojmë armëpushim 30-ditor

Kryeministrja e Letonisë, Evika Siliņa, deklaroi nga Tirana se vetëm Rusia vazhdon të refuzojë paqen në rajon, ndërsa bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte prej 30 ditësh. Ajo i dha këto deklarata për mediat në kuadër të samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian që po mbahet sot në kryeqytetin shqiptar.

“Do të kërkojmë dhe pretendojmë një armëpushim pa kushte për 30 ditë. Për fat të keq, vetëm Rusia nuk dëshiron paqe në rajonin tonë. Do të duhet të biem dakord për sanksione të mëtejshme, sepse kjo mund ta ndalë Rusinë,” u shpreh Siliņa.

Kryeministrja letone theksoi gjithashtu se në samit do të trajtohen edhe tema të tjera me rëndësi për kontinentin, përfshirë emigracionin e paligjshëm dhe bashkëpunimin ekonomik mes vendeve.

“E di që sot do të diskutojmë edhe për emigracionin e paligjshëm dhe bashkëpunimin ekonomik, një çështje mjaft e rëndësishme për Shqipërinë dhe Letoninë. Për rrjedhojë, do ta përdorim këtë KPE si një platformë të mirë për takimin e të gjithë udhëheqësve evropianë,” tha ajo.

Sipas Siliņës, tashmë janë rënë dakord 17 paketa sanksionesh ndaj Rusisë, ndërsa vendet europiane vijojnë të kërkojnë mekanizma të përbashkët për të ndalur agresionin rus dhe për të siguruar stabilitet në kontinent.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button