Rama i “shemb” planet e Starmer për qendrat e kthimit: Britania nuk bën progres në Shqipëri

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, me synimin për të forcuar bashkëpunimin në çështjet e emigracionit, por përfundoi në një përballje të ftohtë dhe pa rezultat me homologun e tij, Edi Rama. Në qendër të bisedimeve ishte ideja e ngritjes së “qendrave të kthimit” për emigrantët shqiptarë që refuzohen nga Britania – një propozim që Rama e rrëzoi hapur dhe prerazi.
Në deklaratat pas takimit, Starmer u përpoq të përcillte një mesazh vendosmërie, duke folur për “qasjen praktike” dhe “mënge të përveshura”, ndërsa Rama i shoi menjëherë shpresat britanike duke konfirmuar se Shqipëria nuk do të pranojë të strehojë qendra për përpunimin e azilkërkuesve.
Vizita e Starmer në Durrës, e shoqëruar me tone propagandistike për frenimin e emigracionit ilegal drejt Mbretërisë së Bashkuar, u prit me skepticizëm në Shqipëri dhe u komentua gjerësisht në mediat britanike si një përpjekje e pasuksesshme për të “shitur” një politikë të ashpër ndaj emigracionit.
Në vend të një suksesi diplomatik, udhëtimi i Starmer-it u kthye në një përballje të heshtur ku ai nuk guxoi të kundërshtojë refuzimin e prerë të Ramës. Për ironi, ndërsa Starmer përpiqej të mbante qëndrim të fortë, Edi Rama – shpesh i kritikuar për rënie të standardeve demokratike, ngadalësim ekonomik dhe skandale korruptive – mori epërsinë në këtë takim, duke e lënë homologun britanik pa shumë terren për të ecur përpara.
Për momentin, mbetet e qartë se Britania nuk ka gjetur partner në Shqipëri për planet e saj për menaxhimin e emigracionit, dhe Starmer nuk arriti të përfitojë politikisht nga kjo vizitë që nisi me shumë zhurmë, por përfundoi me një “jo” të ftohtë.