Aksident tragjik në Unazën Lindore të Tiranës, humb jetën një 26-vjeçar

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur këtë të enjte, më 15 maj 2025, rreth orës 12:00, në Unazën Lindore të Tiranës, në segmentin rrugor që të çon drejt Paskuqanit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, viktima është identifikuar si Lorenc Kaci, 26 vjeç. I riu ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit që po drejtonte dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës. Përplasja ka rezultuar fatale, pasi Kaci ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe autoambulanca. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në drejtim, veçanërisht në rrugët me qarkullim të dendur dhe kthesa të rrezikshme, për të shmangur tragjedi të tilla.