PD fiton Shkodrën me 5 mandate, Edona Bilali jashtë Kuvendit mes polemikave për spotet elektorale

Partia Demokratike ka dalë forcë e parë në qarkun Shkodër, duke siguruar 5 mandate në Kuvend pas përfundimit të procesit të numërimit të votave. Një fitore që po cilësohet si strategjike në hartën elektorale të vendit, për shkak të konkurrencës së ashpër me Partinë Socialiste.
Kandidatët që do të përfaqësojnë PD-në në legjislaturën e re janë Luciano Boçi, Kliti Hoti, Greta Bardeli, Ramadan Likaj dhe Bardh Spahia. Ky i fundit ka siguruar mandatin përmes listës së hapur, duke marrë plot 9414 vota preferenciale dhe duke u renditur ndër më të votuarit në qark.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka arritur të fitojë 4 mandate në këtë qark, duke u renditur forcë e dytë. Deputetët socialistë që pritet të ulen në Kuvend janë Marjana Koceku, Onid Bejleri, Xhenis Cela dhe Bujar Rexha, të gjithë të dalë nga lista e mbyllur.
Jashtë Kuvendit ka mbetur Edona Bilali, kandidate e PS-së përmes listës së hapur, e cila është bërë objekt polemikash për shkak të spotit të saj elektoral të publikuar në rrjetet sociale. Spot që, sipas shumë qytetarëve dhe komentuesve, ka tejkaluar çdo kufi etik duke përdorur imazhin e një të moshuari të sëmurë në spital për të ngjallur ndjenja emocionale tek votuesit. Në video, ‘gjyshi’ i shtrirë në shtrat i lutet mjekut ta mbajë gjallë deri më 11 maj, vetëm që të mund të votojë, në një narrativë që shumëkush e cilësoi të manipuluar dhe të papërshtatshme.
Rezultati në Shkodër reflekton një ndarje të qartë elektorale mes dy partive kryesore dhe një ndëshkim të votës kundrejt figurave që nuk kanë arritur të bindin qytetarët, pavarësisht ekspozimit të madh mediatik.