Lajme

Opozita proteston nesër në Tiranë: “Grabisin zgjedhjet për të zhvatur Shqipërinë”

Opozita ka publikuar posterin zyrtar të protestës që do të zhvillohet nesër, më 16 maj, në orën 17:00, në Bulevardin “Zogu I”, në mbrojtje të votës së lirë. Protesta do të mbahet nën moton: “Grabisin zgjedhjet për të zhvatur Shqipërinë”, në një përpjekje për të denoncuar para opinionit publik dhe ndërkombëtar manipulimin masiv të votave.

Mbështetësit e opozitës do të pozicionohen në zonën mes kryqëzimit të Rrugës Fortuzi dhe Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa zhvillimi i protestës do të përkojë me mbajtjen e samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, një ngjarje e rëndësishme që pritet të tërheqë vëmendjen e liderëve të BE-së.

Sipas opozitës, protesta synon të jetë një akt i fortë simbolik për të denoncuar “manipulimin e votës në shkallë industriale”, ndërsa paralelisht, strukturat e Partisë Demokratike janë udhëzuar të dokumentojnë çdo shkelje në procesin zgjedhor.

Burime nga opozita konfirmojnë se denoncimet për parregullsitë zgjedhore janë duke u përcjellë edhe pranë kancelarive të rëndësishme ndërkombëtare. Në të njëjtën linjë kritike, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vetë Brukseli i kanë konsideruar zgjedhjet e fundit si “të pabarabarta, të pandershme dhe jo të lira”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button