Lajme

Celibashi paralajmëron: Cënimi i votës së kandidatëve në listat e hapura sjell pasoja të rënda ligjore

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave dhe të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), duke theksuar se çdo cënim i votës së kandidatëve në listat e hapura përbën një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor dhe sjell pasoja serioze ligjore për përgjegjësit.

Në një postim në rrjetet sociale, Celibashi kujtoi se është e ndaluar që gjatë procesit të numërimit të bëhet rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet. Ai sqaroi se fletët e votimit ku vota është dhënë vetëm për subjektin politik ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk duhet të rihapen apo rivlerësohen gjatë numërimit të votave për kandidatët.

“Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore”, theksoi Celibashi, duke shtuar se KQZ disponon filmime të procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për të gjitha KZAZ-të në vend.

Ai falënderoi anëtarët e grupeve të numërimit dhe KZAZ-ve për punën e tyre deri më tani, por kërkoi respektim të rreptë të ligjit dhe udhëzimeve të KQZ-së në çdo hap të procesit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button