Lajme

Zgjedhjet e 11 majit nën hijen e censurës dhe mungesës së informimit: Raporti i OSBE/ODIHR kritikon ashpër qeverinë shqiptare

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj në Shqipëri, të cilat u fituan me shumicë të thjeshtë nga Partia Socialiste në pushtet, kanë shkaktuar reagime të forta nga faktori ndërkombëtar. Një raport i publikuar nga OSBE/ODIHR të hënën ngre shqetësime serioze mbi standardet demokratike të këtyre zgjedhjeve, me një theks të veçantë te mjedisi i kontrolluar mediatik dhe mungesa e informimit të pavarur për qytetarët.

Sipas raportit, një nga shkeljet më të rënda lidhet me të drejtën e votuesve për t’u informuar siç duhet mbi alternativat politike — një nga shtyllat kryesore të Kartës së Kopenhagës. Vëzhguesit theksojnë se mbyllja e rrjetit social TikTok pak javë para nisjes së fushatës zgjedhore nga qeveria e kryeministrit Edi Rama bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe kufizon rëndë lirinë e informimit.

Raporti thekson gjithashtu varësinë e shumicës së mediave shqiptare nga financime jotransparente të lidhura me interesa politike dhe biznese, si dhe kontrollin politik mbi reklamat. Pavarësia dhe integriteti i lajmeve janë cenuar seriozisht, ndërsa mungesa e aksesit në media për partitë e vogla dhe raportimet e njëanshme kanë krijuar një fushatë të filtruar dhe të kontrolluar nga lart.

“Raportimi i lajmeve shpesh zëvendësohet me materiale të përgatitura nga trupa qeveritare, çka minon integritetin editorial,” thuhet në raport. Agjencia e Medias dhe Informimit, që varet direkt nga kryeministri, luan rol kyç në filtrimin dhe shpërndarjen e informacionit nga institucionet publike.

Ndërkohë, gazetarët përballen me kufizime të rënda në punën e tyre. Raporti denoncon ndërhyrjet fizike dhe verbale ndaj tyre, ndalimin e filmimeve të pavarura në aktivitete publike të Partisë Socialiste dhe reduktimin e dukshëm të konferencave për shtyp nga ana e qeverisë.

Një tjetër shqetësim i madh është përdorimi i pamjeve dhe intervistave të paguara nga partitë, të cilat nuk janë shënuar si të tilla në media, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Kjo praktikë favorizon forcat me më shumë burime financiare dhe dëmton konkurrencën e ndershme.

Në përfundim, OSBE/ODIHR thekson se mjedisi mediatik i kufizuar, bashkë me abuzimet me burimet shtetërore dhe frikësimin e votuesve, e bëjnë procesin zgjedhor “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Vendimi për të mbyllur TikTok-un konsiderohet si një masë e tepruar, e papërputhshme me lirinë e shprehjes dhe barazinë në garën politike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button