Kosova

Kosova nënshkruan marrëveshje historike me SHBA-në për siguri dhe ndërveprueshmëri ushtarake

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes kanë nënshkruar Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA), një dokument thelbësor që forcon shkëmbimin e sigurt të informacionit dhe bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Prishtinë, ku marrëveshja u firmos nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe Gjeneral Major John Phillips, Drejtor i Komunikimit dhe Kibernetikës në Komandën Evropiane të SHBA-së (EUCOM).

Ambasada amerikane në Kosovë e cilësoi këtë si një hap të madh përpara në marrëdhëniet dypalëshe në fushën e sigurisë. “Kosova bëhet partneri i 33-të global që nënshkruan CISMOA-n, duke rritur sigurinë e komunikimeve dhe ndërveprueshmërinë. Një hap i madh përpara në forcimin dhe sigurinë e të dyja kombeve tona”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ambasadës së SHBA-së.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës theksoi se marrëveshja ka rëndësi strategjike, pasi i mundëson FSK-së përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes dhe shkëmbimin e të dhënave të sigurta dhe të kriptuara.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një reagimi në rrjetet sociale, e cilësoi këtë zhvillim si një vazhdimësi të angazhimeve për siguri të përbashkët. “E përgëzoj Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për këtë arritje të rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme”, deklaroi Kurti.

Çfarë është CISMOA?

Marrëveshja për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA) është një nga marrëveshjet kyçe që SHBA nënshkruan me partnerët ndërkombëtarë për të lehtësuar përdorimin e pajisjeve moderne ushtarake dhe shkëmbimin e informacionit të ndjeshëm në mënyrë të sigurt.

Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet pjesë e një rrjeti global prej 33 shtetesh që ndajnë standarde të përbashkëta të sigurisë dhe komunikimit, duke forcuar rolin e saj në arkitekturën e sigurisë globale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button