
Gerta Meta, Drejtuese e Shoqatës për Kulturën Demokratike, në një intervistë për Syri TV, u shpreh se kjo periudhë zgjedhore karakterizohet nga pritshmëri të larta dhe shqetësime të vazhdueshme lidhur me integritetin dhe transparencën e procesit zgjedhor.
Ajo theksoi se, përveç garës mes aktorëve politikë, është jashtëzakonisht e rëndësishme të sigurohet një administrim i drejtë dhe i pacënueshëm i votës së qytetarëve.
‘Koncentrimi i mandateve në një dorë të vetme rrezikon të çojë në autokraci dhe vetëkontroll të të gjitha institucioneve, dhe nëse ky është realiteti, atëherë duhet të kemi parasysh se parlamenti’-shprehet ajo
Meta u shpreh gjithashtu se, pavarësisht mundësive për të konkurruar, kandidatë të caktuar janë përballur vështirësi dhe janë gjendur në kushte kërcënuese, çka ka rrezikuar barazinë e garës zgjedhore.
Deklarata:
Gjithmonë në periudha zgjedhore, pritshmëritë janë shumë të larta – si në përgjithësi, ashtu edhe në fillim për aktorët që janë pjesë e garës zgjedhore. Jo vetëm për ta, por mbi të gjitha është jashtëzakonisht e rëndësishme se si do të administrohet vota e qytetarëve në ditën e zgjedhjeve. Mënyra e votimit, procesi, transparenca, liria dhe, mbi të gjitha, ajo që të gjithë e dimë mirë – kur numërohen votat, natyrisht, ndoshta përtej asaj që diskutojmë, gjakrat nxehen.
Fushata zgjedhore dhe mënyra se si është zhvilluar i gjithë investimi i aktorëve politikë, padyshim që, përpara se ta theksojë OSBE-ODIHR, edhe ne si vëzhgues vendorë kemi bërë çmos për të treguar se fushata zgjedhore nuk është zhvilluar në kushte të barabarta. Kandidatët kanë pasur mundësinë për të konkurruar, por njëkohësisht janë përballur me vështirësi dhe janë gjendur në situata kërcënuese.
Problemi më i madh që evidentohet në çdo raport, si nga ndërkombëtarët ashtu edhe nga vëzhguesit vendorë, është pikërisht fuqia e madhe që ka mazhoranca për të përdorur burimet shtetërore administrative dhe njerëzore, duke mos e bërë garën të barabartë. Këtë e dëshmon edhe numri i lartë i denoncimeve të paraqitura pranë institucioneve të drejtësisë, veçanërisht pranë SPAK-ut dhe prokurorisë, të cilat kanë administruar gjithsej 156 materiale.
Ka pasur denoncime të shumta edhe pranë KQZ-së, ku në krye të tyre kanë qenë subjektet zgjedhore. Natyrisht, Partia Demokratike ka qenë ndër më aktivet për nga numri i lartë i denoncimeve, ndërkohë që edhe organizatat e shoqërisë civile kanë raportuar shkelje flagrante të ligjit. Janë evidentuar raste të shkeljeve dhe persona që janë penalizuar për veprimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore.
Është për të ardhur keq që vazhdojmë të rendisim dhe të përsërisim të njëjtat problematika dhe incidente që cenojnë standardet e zgjedhjeve. Nëse duam të bëhemi pjesë e familjes europiane, na duhet një “detoks” që e meriton politika shqiptare – jo populli.
Apeli më i fortë i drejtohet mazhorancës. Detoksi duhet të nisë pikërisht nga mazhoranca, e cila duhet të heqë dorë nga një mënyrë komunikimi autokratike dhe agresive. Koncentrimi i mandateve në një dorë të vetme rrezikon të çojë në autokraci dhe vetëkontroll të të gjitha institucioneve. Dhe nëse ky është realiteti, atëherë duhet të kemi parasysh se parlamenti i ri do të dominohet nga një mazhorancë që do të marrë vendimet e vetme.