Lajme

Berisha shpall protestën e opozitës më 16 maj: “Libri i zi i zgjedhjeve do të shkruhet në Bulevardin Zogu I”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar organizimin e një proteste të madhe nga opozita më 16 maj, në orën 17:00, në Bulevardin Zogu I në Tiranë. Protesta do të jetë një reagim ndaj asaj që Berisha e cilëson si “krime zgjedhore masive” të kryera nga mazhoranca gjatë zgjedhjeve të fundit, veçanërisht në votimin e diasporës.

“Opinioni botëror do të sensibilizohet për krimet elektorale të Ramës,” deklaroi Berisha gjatë një daljeje për mediat më 13 maj.

Ai solli si shembull rezultatin në kutinë e votimit të Beratit për diasporën, ku sipas tij, Partia Socialiste doli me 99.6% të votave. “Kemi të bëjmë me Korenë e Veriut. Kjo është e vërteta,” tha Berisha.

Ish-kryeministri akuzoi direkt ministrin Balla për manipulimin e votave në Greqi. “Para se krimineli Balla të shkonte me hordhinë e patronazhistëve në Greqi, vinin 1000-1300 zarfe në ditë. Pas vizitës së tij, kanë ardhur 6 mijë zarfe, të gjitha të manipuluara,” u shpreh ai.

Berisha u bëri thirrje komisionerëve të opozitës të dokumentojnë çdo parregullsi gjatë numërimit të votave në diasporë, duke theksuar se protesta e 16 majit do të jetë një “libër i zi” për shkeljet zgjedhore.

“Protesta do të jetë paqësore. Ne garantojmë se nuk do të ketë probleme me sigurinë. Por duam që dinjitarët ndërkombëtarë të kuptojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën e qytetarëve të tij,” përfundoi Berisha.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button