
Këshilltari i fushatës së opozitës shqiptare, Chris LaCivita publikoi online një shkrim të portalit të njohur ndërkombëtar ‘Politico’, ku thuhet se mediat pranë qeverisë anuluan publikimet e exit-polleve pas zgjedhjeve.
“‘Media shtetërore’. Rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri i paqartë pasi transmetuesit nuk i publikuan exit-pollet,” shkruan LaCivita.
Ndërkohë në shkrimin e ‘Politico’ thuhet se mediat vendosën të mos publikojnë sondazhet pas mbylljes së votimit, ndërkohë që i vetmi exit-poll u publikua nga një media pranë qeverisë.
“Disa orë pas mbylljes së kutive të votimit në Shqipëri, ende nuk është e qartë nëse Partia Socialiste në pushtet e ka siguruar mandatin e katërt historik apo nëse Partia Demokratike në opozitë ka arritur të dalë përpara pas një fushate zgjedhore të ashpër. Asnjë kanal televiziv shqiptar nuk publikoi sondazhe pas votimit, duke lënë votuesit dhe vëzhguesit në errësirë për rezultatin e një procesi zgjedhor që shihet si vendimtar për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Zyrtarët zgjedhorë presin që rezultati të bëhet i ditur deri të martën,” thuhet në shkrim.
“Sondazhet nuk u publikuan as nga kanalet që kishin paralajmëruar se do të kishin sondazhet e tyre në natën e zgjedhjeve,” tha për POLITICO analisti politik Lutfi Dervishi. “Nuk ka një përgjigje të qartë se pse ndodhi kjo.”
“Një sondazh i vetëm pas votimit, i publikuar nga Klan Kosova — një kanal lajmesh nga Kosova fqinje — dhe faqja në gjuhën angleze Albanian Post, e njohur për pikëpamjet pro-qeveritare, tregon për një fitore vendimtare të socialistëve të kryeministrit Edi Rama me 51 për qind, ndërsa demokratët e Sali Berishës mbeten ndjeshëm prapa me 38 për qind. Televizionet nuk kanë ofruar asnjë shpjegim të qartë për vendimin e tyre për të mos publikuar sondazhe, duke transmetuar histori të zakonshme si analiza mbi atë që mund të nënkuptojë një fitore për secilin nga kandidatët apo mbi incidente të vogla si dëmtimi i një kutie votimi në zonën e Kamzës,” shkruan faqja e njohur.
“Hamendësimi im është se partitë politike në vend mund të kenë ushtruar presion mbi mediat për të mos dekurajuar komisionerët që marrin pjesë në procesin e numërimit të votave,” shtoi Dervishi.
“Në një zhvillim të rrallë, mediat e vendit duket se kanë krijuar një “omertà” heshtjeje dhe kanë vendosur të mos publikojnë exit poll-et deri sa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatet i pari. Gazetarët vendas dhe ndërkombëtarë që mbuluan zgjedhjet, përfshirë edhe për POLITICO, kaluan mbrëmjen duke kontaktuar me ngulm kanalet kryesore të lajmeve në vend, si Top Channel dhe Ora News, por nuk morën asnjë përgjigje të qartë mbi arsyen pse sondazhet pas votimit nuk u publikuan,” thekson portali i njohur.