Lajme

Celibashi pas votimit: Fotografimi i votës dënohet me burg, qytetarët të kuptojnë përgjegjësinë e tyre

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”, ndërsa pas votimit dha një mesazh të fortë për të gjithë qytetarët dhe aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor.

Në një deklaratë për mediat, Celibashi theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe kushdo që e shkel atë do të përballet me institucionet përkatëse. Ai bëri thirrje për ndërgjegjësim qytetar, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjet nuk u takon vetëm politikanëve, por edhe çdo qytetari.

“Mesazhi është i qartë për ata që ende nuk kanë votuar. Ata që mendojnë se angazhimi i tyre mund të shkojë përtej votës dhe të ndikojnë në mënyrë të paligjshme në proces, do të marrin përgjigje nga institucionet përkatëse,” tha Celibashi.

Ai u ndal veçanërisht te fenomeni i fotografimit të votës, duke e cilësuar një vepër penale që dënohet me burgim.

“Fotografimi i votës do të marrë përgjigje nga drejtësia. Minimumi tre vjet burg për ata që fotografojnë votën. Jo vetëm politikanët, por edhe votuesit duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi,” paralajmëroi ai.

Deklarata e kreut të KQZ-së vjen në një kohë kur vendi ndodhet në një proces zgjedhor të rëndësishëm dhe rrit ndërgjegjësimin për integritetin e votës si një element kyç i demokracisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button