Lajme

Gjekmarkaj reagon për arrestimin e bashkëshortit të Elda Hotit: “Po krijohet një situatë antidemokratike, qytetarët të mbrojnë votën”

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas arrestimit të bashkëshortit të kandidates për deputete të PD-së, Elda Hoti. Në një prononcim për mediat, ai e cilësoi këtë ditë si thelbësore për demokracinë shqiptare dhe bëri thirrje për vigjilencë dhe pjesëmarrje masive të qytetarëve në procesin zgjedhor.

“Është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, qytetarët duhet të marrin benefitet e demokracisë. Shqiptarët duhet të jenë vigjilentë dhe të jenë pjesëmarrës”, deklaroi Gjekmarkaj, duke shtuar se edhe vajza e tij, ndonëse ende nuk ka të drejtë vote, duhet të edukohet me shenjtërinë e saj.

Ai akuzoi organet shtetërore se po devijojnë vëmendjen nga problemet reale të zgjedhjeve dhe po ndërhyjnë në mënyrë të njëanshme. “Organet shtetërore po na vendosin në një situatë antidemokratike. Në vend që të merren me shitblerësit e votës, po merren me qytetarët që e mbrojnë atë”, theksoi ai.

Sipas tij, ngjarja përbën një skenar politik, ndërsa PD po evidenton pjesëmarrësit për të ndërmarrë hapa ligjorë. “PD dënon me forcë këtë si një skenar politik dhe po evidenton pjesëmarrësit për t’ju drejtuar organeve kompetente”, përfundoi Gjekmarkaj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button