Princ Leka bën thirrje për votë me përgjegjësi dhe dashuri për Shqipërinë

Në ditën e zgjedhjeve parlamentare, Princ Leka ka përcjellë një mesazh për të gjithë shqiptarët, duke theksuar rëndësinë e votës si forca dhe zëri i qytetarëve. Ai ka ftuar qytetarët të votojnë me qetësi, përgjegjësi dhe dashuri për vendin.
Në mesazhin e tij, Princ Leka ka theksuar: “Sot është dita kur secili prej nesh ka në dorë të ardhmen e Shqipërisë. Votoni me qetësi, me përgjegjësi dhe me dashuri për vendin tonë. Mos harroni: vota është e drejta juaj, forca juaj dhe zëri juaj. Askush s’ka të drejtë t’jua mohojë apo t’jua diktojë.”
Ai ka bërë një thirrje të veçantë për të rinjtë, duke i inkurajuar ata të votojnë për një Shqipëri ku duan të jetojnë, të ndërtojnë dhe të ëndërrojnë. “Ky vend është i juaji! Votoni për një Shqipëri ku doni të jetoni, të ndërtoni dhe të ëndërroni,” ka thënë ai.
Në fund, Princ Leka ka përfunduar mesazhin me një urim: “Shqipëria ju takon ju. Votojeni me zemër. Rroftë Shqipëria, Rroftë Kombi Shqiptar!”
Ky mesazh vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, duke i bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë.