Biznesmenë të afërt me qeverinë kapen me para dhe tollona nafte në Dibër, dyshime për blerje votash

Një incident i pazakontë ndodhi një ditë më parë në Maqellarë të Dibrës, ku eksponentë të opozitës ndaluan dy automjete që dyshohet se po shpërndanin para dhe përfitime të tjera në prag të zgjedhjeve. Në njërën prej makinave ndodhej sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ndërsa në mjetin tjetër udhëtonte biznesmeni Fiqiri Pali, të cilit iu sekuestruan 4500 dollarë, 1 mijë paund dhe rreth 3500 litra tollona nafte.
Fiqiri Pali, i njohur edhe si Çil Pali, është pronar i kompanisë “Sireta 2F”, një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike nga qeveria aktuale. Por emri i tij nuk është i panjohur për autoritetet ligjzbatuese.
Në vitin 2007, Pali u arrestua për korrupsion në një tender publik me vlerë 400 mijë euro për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë së Punës. Ai akuzohej se kishte premtuar rryshfet në masën 10% të kontratës për anëtarët e komisionit të tenderit.
Problemet ligjore për të nuk kanë munguar as vite më vonë. Në vitin 2017, kompania e tij u përjashtua nga pjesëmarrja në tenderat publikë për mashtrim me dokumentacion në një prokurim të Bashkisë së Përrenjasit me vlerë 680 mijë euro. Dokumentacioni i dorëzuar ishte i falsifikuar dhe Agjencia e Prokurimeve Publike vendosi ta përjashtojë kompaninë për 18 muaj. Pasi e çoi çështjen në gjykatë, vendimi u konfirmua së fundmi nga Gjykata Administrative e Apelit, duke e ndaluar “Sireta 2F” të marrë pjesë në tendera deri në fund të vitit 2026.
Por Pali nuk është i vetmi biznesmen i përfolur. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi një tjetër biznesmen – Lul Morinën – se po blinte vota në Fier në emër të mazhorancës.
“Terroristët elektoralë që mendojnë se do të blejnë dinjitetin e qytetarëve në Frakull dhe Dërmenas me paratë e korrupsionit dhe paratë e pista të Ceno Klosit, Darling Hoxhës dhe Lul Morinës i siguroj që do të dështojnë me sukses të plotë”, deklaroi Bardhi.
Morina, i njohur edhe si Julian apo Lulzim, është përfituese i konsiderueshëm i lejeve të ndërtimit në bregdetin e Jugut dhe ka shfaqur hapur mbështetjen për kryeministrin Rama. Ai është denoncuar si i dënuar për trafik në Itali dhe në Shqipëri ka ndërtuar një pallat 10-katësh pa leje pranë zonës së Liqenit Artificial, pa u përballur me drejtësinë. Së fundmi, ai është thirrur nga SPAK për transferta të dyshimta financiare me familjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Opozita akuzon se këta biznesmenë janë pjesë e një skeme për të blerë vota në favor të mazhorancës, në këmbim të favoreve publike përmes tenderave dhe lejeve të ndërtimit./Kapitali.al